Serbia ka refuzuar kërkesën e ministrave të Kosovës për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe në Preshevë. Kjo, sipas ministrit të Ambientit Liburn Aliut, i cili ka qenë një ndër ministrat që do të shkonte në vizitë, ka ndodhur në momentin para nisjes dhe pa arsye.
“Duke filluar nga sot, bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Aliu ka sqaruar se kërkesa për vizitën është bërë më 24 nëntor dhe është paraqitur edhe agjenda. Por, sipas tij, refuzimi ka ardhur sot në mëngjes, pa arsye.
“Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”.
Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike, njoftoi tutje Aliu.
Refuzimin e kërkesës e ka quajtur “pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

