Vendimi për protokollin e ri shëndetësor të Series A, që është dërguar te Komisioni Teknik dhe Shkencor i Italisë (CTS) për aprovim, do të merret brenda dy ditëve.
Lega Serie A, Asociacioni i Lojtarëve dhe Asociacioni i Mjekëve Sportiv, kanë refuzuar protokollin me të cilin është pajtuar qeveria, kryesisht pasi kërkohet futja në karantinë e gjithë grupit nëse del një person pozitiv me koronavirus.
Serie A kërkon një qasje të ngjashme me Gjermaninë dhe Spanjën, ku vetëm izolohen personat që dalin pozitiv me virusin.
Protokolli i ri i Serie A është përgatitur të dielën dhe “Corriere della Sera” shkruan se vendimi pritet të arrijë të mërkurën.
Është bërë nga Serie A dhe është dorëzuar te Federata e Futbollit të Italisë (FIGC), e cila ia ka dorëzuar ministrit të sportit Vincenzo Spadafora.
Ndeshjet e Series A po pritet të rikthehen në qershor.