Mospërjashtimi i idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, po shihet si një qëndrim i rrezikshëm dhe i pasinqertë nga eksperti amerikan dhe njohësi i rrethanave në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Serwer thotë se Borell është duke lëvizur drejt linjës që po ndjek emisari i Trump, Richard Grenell.
Siç thotë Serwer, moskundërshtimi i prekjes së kufijve Kosovë-Serbi nga Borell nënkupton josinqeritet meqë, siç thotë eksperti amerikan, spanjolli në krye të diplomacisë së BE-së tashmë e di shumë mirë që Thaçi dhe Vuçiq janë duke përgatitur një marrëveshje me shkëmbim njerëzisht e territoresh bazuar në linja etnike.
“Borell është duke adoptuar linjën e Grenellit, gjë që është e pasinqertë dhe e rrezikshme. E pasinqertë sepse ai e di fort mirë që presidenti Thaçi dhe Vuçiq janë duke gatuar një shkëmbim të njerëzve dhe territoreve në baza etnike, gjë që është e paprecedentë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë dhe shkel mbi parimin themelor mbi të cilin shumica e luftërave në Ballkan kishin nisur”, ka thënë Serwer për Express.
Ai tutje thotë se një qasje e tillë e Borellit është e rrezikshme sepse një lëvizje e mundshme e kufijve do të shkaktojë efekt zinxhiror dhe destabilizim brenda Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Maqedonisë.
“E rrezikshme sepse një shkëmbim i tillë do të shkaktojë një reagim zinxhior të destabilitetit brenda Serbisë (veçanërisht Sanxhaku), Bosnje dhe në Maqedoni”, ka shtuar tutje Serwer.
Sipas tij, një lëvizje e kufijve në Ballkan bazuar në vija etnike, do të ndikojë edhe në forcimin e pozitës së Rusisë në Gjeorgji, Moldavi e Ukrainë.
Serwer thotë se Borelli duhet të shqetësohet edhe për atë se çfarë nënkupton për Katalonjën një lëvizje e kufijve për të akomoduar dallimet etnike e gjuhësore.
“Gjithashtu, do të forcojë pozitën e Putinit brenda Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Borell duhet të shqetësohet më shumë se çfarë do të thotë për Katalonjën rivizatimi i kufijve për të akomoduar dallimet gjuhësore/etnike”, shprehet profesori amerikan.
Në fund ai thotë se është fat i mirë që Gjermania ka qenë unike në kundërshtimin e lëvizjes së kufijve në baza etnike, por siç thotë Serwer shkuarja e Merkelit do të ngrejë shumë pikëpyetje meqë s’dihet se kush do të pasojë atë në pozitën e kancelares.
“Fatmirësisht, Gjermnaia ka qenë e qartë dhe njëzëri në kundërshtimin parimor të shkëmbimit të territoreve dhe njerëzve bazuar në linja etnike. Por Merkel po shkon dhe askush nuk e di se kush do ta pasojë atë”, ka përfunduar Daniel Serwer për Gazetën Express.
Borell në një intervistë për disa media të Ballkanit nuk ka kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufijve, duke thënë se për një gjë të tillë u takon të merren vesh Kosova e Serbia.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të bëhet “më katolik se Papa”.
Një deklaratë e tillë e Borellit ka nxitur reagime të mëdha. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk pranohet asnjë diskutim e asnjë marrëveshje e cila përfshin lëvizjen e kufijve të Kosovës.
Ka reaguar edhe eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon Taubadel, e cila ka thënë se ide të tilla për lëvizje kufijsh janë të rrezikshme. Ajo madje ka bërë thirrje për organizimin e një debati në Parlamentin Evropian për një çështje të tillë.