Profesori dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka paralajmëruar përfshirjen e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, në bisedimet Kosovë – Serbi.
Ai në një intervistë për televizionin serb N1, ka thënë se amerikanët dhe evropianët duhet të bashkëpunojnë, pasi ndryshe nuk mund të arrijnë asnjëherë sukses.
Profesori në universitetin “Johns Hopkins” ka folur edhe për mbledhjen që javën e shkuar u organizua në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, ku morën pjesë ai, Albright dhe disa ekspertë të tjerë amerikan, me ç’rast u kërkua nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës. Për këtë, ai e di se nuk është i mirëseardhur në Beograd.
“Nuk është e rëndësishme se çfarë mendojnë serbët për Albrightin, a duhet të inkuadrohet apo jo. Ajo do të inkuadrohet. Është ish-Sekretare e Shtetit. Është po ashtu dikush që ka jetuar në Serbi dhe flet serbisht. Mendoj se këtë duhet vlerësuar”, ka thënë Serwer duke komentuar praninë e Albrightin në mbledhjen e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit ku u fol për Kosovën dhe Serbinë.
Albrighti është “fytyrë e urryer mes serbëve”, pasi më 1999 ishte Sekretare e Shtetit dhe përkrahëse e madhe e intervenimit të NATO-s për të ndalur masakrat serbe mbi civilët shqiptarë gjatë luftës së fundit.
Sipas Serwerit, Evropa duhet të jetë “nikoqire” e dialogut.
“Mendoj se amerikanët duhet të jetë mbështetës kur folim për dialogun. Ajo që amerikanët mund të bëjnë, janë dy gjëra: të implementohet gjithçka që arrihet, gjë që nuk ishte kështu në të kaluarën dhe në insistimin për reciprocitet”, ka thënë Serwer për N1.
Serwer po ashtu ka folur për mosmbajtjen e premtimit nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për media të hapura dhe të lira.
“Ai është politikisht dominues në një mënyrë që ngjan me Milosheviqin dhe jo në Serbinë demokratike. Po ashtu është kthyer nga Rusia dhe Kina”, ka thënë Serwer.