Sevilla e ka eliminuar Manchester Unitedin për të arritur për herë të gjashtë në histori në finale të Europa League. Spanjollët triumfuan 2-1 kundër anglezëve.
Manchester United i Ole Gunnar Solskjaer, që shihej si favorit për të triumfuar në Europa League, do t’i bëjë gati valixhet që sonte për t’u kthyer në shtëpi.
“Djajtë e Kuq” janë befasuar nga Sevilla në gjysmëfinale, duke humbur me rezultat 2-1, për ta mbyllur kështu sezonin 2019/20 në mënyrën më të keqe.
United e nisi mirë takimin, Bruno Fernandes e konkretizoi në gol penalltinë e fituar nga Marcus Rashford në min e 9-të.
Sevilla reagoi në minutën e 27-të, Suso e dërgoi topin në rrjet për 1-1 pas një asistimi nga ana e Sergio Reguilon, me të cilin rezultat edhe përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, në minutat e para United pati një mori rastesh, por nuk i konkretizuan ato dhe ligji i pashkruar i futbollit thotë “kur nuk shënon e pëson”, ashtu edhe ndodhi me “Djajtë e Kuq”.
Në minutën e 78-të, i inkuadruari në lojë në pjesën e dytë, Luuk de Jong, arriti të shënojë për ta kaluar në epërsi Sevillën dhe për ta kualifikuar në finale, pasi pavarësisht tentimeve deri në fund, të besuarit e Solskjaer nuk arritën të bëjnë diçka më shumë në këtë takim.
Këtu përfundon gjithçka për United, derisa Sevilla arrin n’finale të Europa League për herë të gjashtë në histori.
Pesë finale, pesë fitore për Sevillan në Europa League, duket se është ekip i krijuar për këtë garë.