Sezoni turistik/ Kontrolle në vijën detare e liqenore, bllokohen 4 skafe në Sarandë, Vlorë e Durrës

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Policia Kufitare ka nisur një kontroll të imtësishëm të mjeteve lundruese, turistike dhe të peshkimit, në mënyrë që të evidentojë paligjshmërinë dhe të parandalojë krimet e mundshme kufitare në vijën bregdetare dhe atë liqenore ë prag të sezonit turistik.

Sipas Policisë së Kufirit dhe Migracionit këto kontrolle po realizohen në kuadër të rritjes së sigurisë  detare, zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit, nga drejtuesit e mjeteve lundruese, si dhe të parandalimit dhe goditjes së krimeve kufitare.

Si rezultat i kontrolleve përgjatë vijës  bregdetare, nga Saranda deri në Velipojë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar 4 mjete lundruese (skafe), si dhe kanë ndëshkuar me masa administrative nga 10 000 deri në 20 000 lekë të rinj, drejtuesit e tyre, për mungesë të dokumentacionit në bord.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar dhe kanë sekuestruar 1 skaf me motorë të fuqishëm.

Konkretisht, në Sarandë dhe në Vlorë, Policia Kufitare ka bllokuar 3 mjete lundruese dhe ka ndëshkuar me masë administrative, nga 10.000 lekë të rinj secili, drejtuesit e këtyre mjeteve, për mungesë të dokumentacionit në bord.

Në Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar një mjet lundrues dhe kanë ndëshkuar me masë administrative 20 000 lekë të rinj, drejtuesin e tij, për mungesë dokumentacioni.

Në liqenin e Shkodrës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar dhe kanë sekuestruar një mjet lundrues skaf me 2 motorë të fuqishëm që dyshohet se mund të përdorej për trafiqe të paligjshme. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Policia Kufitare thotë se, është e angazhuar maksimalisht dhe ka intensifikuar kontrollet në të gjithë vijën bregdetare të vendit, me qëllim rritjen e sigurisë detare, zbatimin e ligjit dhe rregullave të qarkullimit në det, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Share This Article