Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, thotë se mungesa e liberalizimit të vizave po ua vështirëson punën bizneseve kosovare.
Shahini në emisionin “SOT” në KTV ka thënë se rreth 80 për qind të bizneseve u refuzohen aplikimet për viza.
“Mungesa e liberalizimit të vizave na ka vënë në vështirësi të madhe bizneset tona, pasi rreth 80 për qind të bizneseve u refuzohet aplikimi për vizë. Duhet gjejnë tregje, nuk mund të gjejnë ato vetëm përmes telefonave e emailave, duhet shkuar fizikisht të ulen e të prezantojnë, e kjo ua vështirëson bizneseve kosovare hulumtimin drejt tregjeve të reja. Është e padrejtë. Këtu kosovarët hargjojnë mbi 20 milionë euro për viza, ndërsa vetëm 20 për qind i marrin vizat. Mjetet tjera nuk kthehen, dhe Kosova e varfër i financon ambasadat e ndryshme me këto mjete”, ka thënë Shahini.
Shahini po ashtu ka shtuar se kosovarët nuk janë patriot si qytetarët në vende tjera të rajonit sa i përket konsumimit të prodhimeve vendore.
“Nga aspekti patriotik, kosovarët nuk janë patriot për konsumimin e prodhimeve vendore, siç janë konsumatorët në shtetet tjera. Produktet tona, pavarësisht se janë më të mirat ndoshta në tregun në Serbi, ato nuk konsumohen, i refuzon konsumatori. Tek ne i marrim produktet nga gjitha vendet, nuk jemi fort të thirrur të konsumojmë prodhime vendore”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka thënë organizimi i “Javës së biznesit kosovar”, rrit vetëdijesimin e konsumatorëve për të konsumuar prodhime vendore. Shahini ka treguar se në vitin 2019, ky manifestim kishte zgjatur nga 28 nëntori i vitit 2019 deri më 17 shkurt të vitit 2020, ndërsa ishte rritur gjatë asaj periudhe për 55-60 për qind konsumi vendor.
Ai u ka bërë thirrje bizneseve vendore që të kenë sa më shumë marketing, sidomos nëpër mediume.

