Anglia siguroi vendin e saj në kampionatin europian të vitit të ardhshëm me dy ndeshje të mbetura, dhe festoi arritjen e vet në një stil po aq mbresëlënës të martën mbrëma.
Markus Rashford dhe Herri Kejn realizuan përmbysjen, teksa Anglia shënoi tri herë për ta mposhtur Italinë 3-1 në “Wembley” dhe për të larguar disa nga fantazmat nga humbja e tyre në finalen e 2021-shit. “The Sun” raportoi se disa emra të mëdhenj, duke përfshirë Xhud Bellingamin e Realit, Xhejms Medisonin e Totenhemit dhe Trent Aleksander-Arnoldin e Liverpulit u panë të hynin në një klub nate luksoz në Londër dhe festuan në shoqërinë e alkoolit.
Fatura në total shkoi në 35 mijë paund. Mbrojtësi i dëmtuar i Junajtidit, Ljuk Shou dhe Xhek Grilish ishin gjithashtu në mesin e grupit, të cilëve iu bashkuan një numër i të ftuarve të famshëm në “Mayfair’s Tape”, ndërsa Harry Kane ndërkohë thuhet se nuk shihej askund.
Në çdo tavolinë fatura shkoi mesatarisht 2 mijë paund. Disa nga artikujt më të shtrenjtë në menynë e pijeve përfshijnë një shishe shampanjë “Armand de Brignac Ace of Spades” (650 £), një “Dom Perignon Vintage Luminous” (1,050 £) dhe një vodka “Jeroboam Belvedere” (1.300 £).
Por një nga personat e pranishëm i tha tabloidit se askush nuk e teproi me alkoolin, me lojtarët që kishin marrë udhëzime se nuk duhej të abuzonin duke qenë se sezoni rinis këtë fundjavë.