Xherdan Shaqiri është gati për ta nisur aventurën te skuadra amerikane Chicago Fire. Ai i ka kryer testet mjekësore dhe ka nënshkruar kontratë deri në fund të vitit 2024 me skuadrën që garon në kampionatin “MLS”. Kështu ka mësuar të hënën KOHA nga burime të afërta me yllin e Përfaqësueses së Zvicrës. Siç ka thënë një i afërt me futbollistin kosovar, Shaqiri është në pritje të vizës së punës për t’u nisur më pas drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Xherdani i ka kryer me sukses testet mjekësore dhe është duke pritur vetëm vizën e punës. Ai me padurim po pret t’i bashkohet ekipit për të treguar vlerat e tij edhe në futbollin amerikan. Xherdani i ka kryer të gjitha, pra e ka nënshkruar edhe kontratën deri në vitin 2024. Prezantimi do të bëhet në ditët në vijim, pra posa të mbërrijë në Amerikë”, ka thënë një i afërt i Shaqirit në kushte anonimiteti.
Shaqiri do të jetë transferimi rekord i Chicagos. Transferimi i tij i ka kushtuar skuadrës amerikane rreth shtatë milionë euro. Do të ketë edhe bonuse. Chicago tashmë ka angazhuar disa lojtarë, por Shaqiri do të jetë figura kryesore e këtij ekipi në sezonin e ri, që nis në fund të këtij muaji. Falë transferimit të Shaqirit, e gjithë liga MLS pritet të kthejë sytë kah Chicago. Klubi ishte i parëndësishëm për kohë të gjatë në MLS, ndërsa me Shaqirin në radhët e veta, gjërat pritet të ndryshojnë.
Ndeshjen e fundit te Lyoni, Shaqiri e zhvilloi në fillim të këtij muaji. Ai shënoi gol me kokë dhe asistoi në fitoren 2:1 të Lyonit kundër Marseillet. Shaqiri ka vetëm 995 minuta apo 16 paraqitje në total këtë sezon për Lyonin, ku ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me tri asistime. Nuk ka pasur hapësirë të mjaftueshme, ngjashëm si te Liverpooli ku ishte më parë. Ai ka luajtur edhe për Stoke Cityn, Interin, Bayernin e Baselin. Ka shkëlqyer herë pas here, por pas Baselit asnjëherë në vazhdimësi. Ndryshe është situata te Zvicra, ku për kohë të gjatë është lojtari yll i “helvetikëve”. 30-vjeçari pritet të luajë rol vendimtar te Zvicra në Botërorin e këtij viti që mbahet në Katar.
“Xherdani është i etur për të pasur suksese, sidomos tash në Botërorin që mbahet në Katar. Ai pret të ketë suksese me Zvicrën. Shpreson që të jetë i pranishëm te Zvicra edhe në miqësoret e muajit mars, përfshirë edhe ndeshjen ndaj Kosovës në Zuerich”, është shprehur i afërmi i Shaqirit.
Shaqiri iu bashkua në fillim të këtij Lyonit nga Liverpooli dhe me ekipin francez pati kontratë deri në verën e vitit 2024. Por e ka shkëputur për t’iu bashkuar Chicago Fire, skuadër me të cilën po ashtu ka nënshkruar kontratë deri në fund të vitit 2024. Ndeshjen e parë në sezonin 2022 në MLS, Chicago Fire e luan më 27 shkurt në udhëtim tek Inter Miami, ekip në pronësi te David Beckhamit.