Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë kujtuar të hënën mbrëma ndeshjen që kishte bërë shumë krenarë të gjithë shqiptarët nëpër botë.
Dy futbollistët më të mëdhenj shqiptarë dy vjet më parë kishin realizuar nga një gol për fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë në Botëror.
Ajo fitore 2:1, e arritur në Kaliningrad të Rusisë, në kuadër të fazës grupore të Botërorit, ishte festuar thuajse në çdo qytet shqiptar. Mënyra e festimit me shqiponjë pas golit të Xhakës e më pas edhe të Shaqirit kishte bërë bujë. U kishte hapur telashe dy futbollistëve, por gëzimi e krenaria ishim shumë më të mëdha.
Serbia kishte udhëhequr 1:0 që në minutën e pestë. Granit Xhaka kishte realizuar gol të bukur në minutën e 52-të për 1:1, kurse Shaqiri pasi vrapoi prej gjysmës së fushës, mposhti portierin serb për fitoren historike të Zvicrës, të festuar gjerësisht nga shqiptarët. Shaqiri kishte realizuar në minutën e 90-të. Për Zvicrën kishin luajtur edhe Valon Behrami e Blerim Xhemaili.
Ajo fitore doli të jetë vendimtare për Zvicrën që avancoi tutje. Ndërkohë Serbia u eliminua që në fazën grupore.
Shaqiri e Xhaka e kanë përkujtuar atë ndeshje me postime në rrjetet sociale, të hënën mbrëma.
“Dy vjet më parë ishte një ditë e veçantë për mua. Një prej golave më të mirë që kam shënuar ndonjëherë. Koha kalon por kujtimet mbesin gjithnjë”, ka shkruar Xhaka.
Një postim e ka bërë edhe Shaqiri.