Shtetet e Bashkuara mund t’u kërkojnë thuajse të gjithë të huajve që të jenë vaksinuar ndaj covidi-19 nëse duan të vizitojnë vendin. Masat aktuale kufizuese po e pamundësojnë shumicën e udhëtimeve për në Amerikë, duke dëmtuar edhe industrinë lokale ajrore dhe të turizmit.
Shtetasit e huaj që synojnë të vizitojnë Amerikën do duhet së shpejti të tregojnë se janë vaksinuar plotësisht kundër covidi-19.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha agjencisë së lajmeve, “Reuters”, se qeveria amerikane po planifikon rihapjen e kufijve me jashtë dhe heqjen e kufizimeve në udhëtim që vendi zbaton si masa të jashtëzakonshme prej janarit 2020.
Aktualisht nuk lejohet të udhëtojnë të huajt që në dy javët e fundit kanë qenë në Britani, në shtetet europiane të zonës Shengen, në Kinë, Indi, Afrikën e Jugut dhe Brazil.
Zyrtari amerikan tha se do ketë përjashtime, por rregulli do të jetë që personat të cilët duan të hyjnë në SHBA duhet të kenë kryer të gjitha dozat e kërkuara të vaksinës anticovid.
Ndërkohë, Bashkimi Europian në muajin qershor vendosi të pranojë vizitorët nga Amerika që disponojnë certifikatën e vaksinimit ose një tampon negativ për virusin në tri ditët e fundit, nën presionin e shteteve që varen nga turizmi, si Greqia, Spanja dhe Italia.
Më shumë se 70 për qind e amerikanëve janë imunizuar me të paktën një dozë të vaksinës, megjithëse shumë shtete po raportojnë rritje të rasteve bartëse dhe të shtrimeve në spital.
Disa rajone dhe biznese po ashtu kanë rinisur t’u kërkojë personave të mbajnë maskat në publik.
Që prej fillimit të pandemisë, Amerika ka regjistruar mbi 35 milionë infektime dhe rreth 615 mijë veta nuk i kanë mbijetuar koronavirusit të ri.