Nuk e kanë konfirmuar ende, por Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe mund të jenë pranë kalimit të vijës së kuqe, në luftën Rusi-Ukrainë. Sekretari Amerikan i Shtetit Antoni Blinken dha sinjalin më të fortë deri tani se Shtëpia e Bardhë do të hiqte së shpejti kufizimet për përdorimin e raketave me rreze të gjatë nga Ukraina, kundër pozicioneve në thellësi të Rusisë.
“The Guardian” shkruan se vendimi besohet të jetë marrë privatisht. Duke folur për gazetarët në Kiev, ku zhvilloi një vizitë bashkë me sekretarin për punët e jashtme në Britaninë e Madhe, David Lammy, Blinken tha: “Ne i kemi modifikuar dhe përshtatur politikat tona në varësi të situatës në fushë betejë. Dhe nuk kam dyshim se do ta bëjmë këtë teksa situata ndryshon”.
Po ashtu burime të qeverisë britanike sugjeruan se vendimi ishte marrë për të lejuar Ukrainën të përdorë raketat Kruz Storm Shadoi ndaj objektivëve brenda Rusisë. Blinken tha se ai dhe Lammy do të raportonin tek shefat e tyre, Joe Biden dhe Keir Starmer pas bisedimeve me presidentin Volodimir Zelenski.
Sekretari Britanik për punët e jashtme, pohoi se dërgimi i raketave balistike të Iranit në Rusi kishte ndryshuar mendësinë strategjike në Londër dhe Uashington.
“Përshkallëzuesi këtu është Putin. Ai po merr raketa nga Irani” tha Lammy, i cili i bëri thirrje Kinës të mos ndjekë shembullin e Teheranit.
Lufta në Ukrainë dhe mënyra se si mund të mbyllet ajo, pritet të diskutohet gjatë takimit, Biden – Starmer në Uashington. Sipas një burimi të cituar nga “The Guardian” takimi nuk dot ë kishte ndodhur nëse nuk do të kishte pasur vendim pozitiv për raketat me rreze të gjatë, e megjithatë diçka e tillë nuk pritet të njoftohet publikisht pasi do të konsiderohej si tejet provokuese. Më herët Zelensky i kërkoi Shteteve të Bashkuara të tejkalonte shqetësimet mbi përshkallëzimin nuklear. SHBA duhet të na besojë më shumë, ne duhet të përgjigjemi, ishte deklarata e Zelenskit.