SHBA falënderoi Turqinë për donacionin e furnizimeve mjekësore në bashkëpunim për të luftuar shpërthimin e koronavirusit në vendin më të goditur nga pandemia, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Gjatë kohërave të krizës, si përpjekjet në gjithë botën për të luftuar COVID-19, koordinimi i ngushtë midis aleatëve dhe partnerëve me mendime të njëjta është thelbësor për zhvillimin e një reagimi të shpejtë dhe efektiv. Askush nga ne nuk mund ta bëjë këtë vetëm”, tha ambasadori amerikan në Turqi, David Satterfield, në një deklaratë.
“Në emër të qeverisë amerikane, dua të falënderoj aleatin tonë në NATO, Turqinë, për donacionin bujar të sotëm të furnizimeve mjekësore dhe pajisjeve të tjera thelbësore”, shtoi ai.
Satterfield theksoi se donacioni është planifikuar të dorëzohet më vonë gjatë ditës përmes aeroplanit ushtarak turk A-400M në bazën e Forcave Ajrore Andrews afër Washingtonit.
Pakoja përbëhet nga pajisje të tilla si maskat N95, veshje mbrojtëse dhe mburoja të fytyrës.
Ai theksoi se donacioni do t’u shpërndahet atyre që u duhen më së shumti në SHBA nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave.
“Siç tregon kjo dërgesë, marrëdhëniet SHBA-Turqi janë të forta dhe një nga aleancat tona më të rëndësishme. Ne presim vazhdimin e bashkëpunimit me Turqinë për këtë dhe shumë prioritete të tjera të ndërsjella”, tha ambasadori.
Aeroplanët e Forcave të Armatosura Turke gjithashtu kanë shpërndarë furnizime shëndetësore kohët e fundit në Spanjë, Itali, Britani, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mali të Zi, Serbi, Libi dhe Somali.
SHBA vazhdon të jetë epiqendra dhe vendi me numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19 në gjithë botën. Sipas Universitetit Johns Hopkins me qendër në Maryland, në SHBA ka afro 988.500 të infektuar, mbi 56.200 të vdekur dhe me më shumë se 111.500 të shëruar.