Shteti amerikan i Teksasit po pret arrestimin e 52 ligjvënësve demokratë që tre muaj më parë bojkotuan organin legjislativ të vendit.
Vendimi u firmos të martën dhe ndërsa sqarohet se qëllimi nuk është burgosja e tyre, me dhjetëra demokratë priten të shoqërohen me forcë për në Dhomën e Përfaqësuesve pasi mungon kuorumi i nevojshëm në sallë.
Grupi i demokratëve e ka braktisur Dhomën në shenjë proteste ndaj ndryshimeve të propozuara në ligjin zgjedhor, që sipas tyre cenojnë të drejtën e votës dhe demokracinë amerikane.
Në muajin maj ata u shpërngulën në Uashington për ta bllokuar ligjin me mospjesëmarrjen e tyre, pasi republikanët i kishin votat e nevojshme.
Gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytet u kërkua ndihma e ligjvënësve federalë për ta bllokuar nismën e kundërshtarëve në nivel shteti.
Disa demokratë kanë hequr dorë nga urdhri politik duke u kthyer vetë në organin vendimmarrës.
Të tjerë janë rikthyer nga Uashingtoni, por po refuzojnë të marrin pjesë në seancë dhe urdhërarrestet e fundit aplikohen pikërisht për ata që e vazhdojnë bojkotin nga shtëpia.
Nisma për ndryshimin e ligjit zgjedhor vjen pas kundërshtive të shprehura nga ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili pretendon se zgjedhjet e vitit të kaluar kundër rivalit Joe Biden i humbi pasi demokratët e manipuluan sistemin dhe e shpërdoruan të drejtën e votës, me ndihmën edhe të emigrantëve ilegalë.

