Shtetet e Bashkuara kanë hequr kufizimet mbi eksportet në Kinë për zhvilluesit e softuerëve të çipave, një shenjë e uljes së tensioneve tregtare SHBA-Kinë.
Këto ishin vetëm disa nga shumë kundërmasat e vendosura nga administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në përgjigje të pezullimit të eksportit të metaleve të rralla dhe magneteve nga Kina në prill.
Ministria e Tregtisë e Kinës tha se pas bisedimeve me SHBA-në, të dyja palët kanë konfirmuar një kornizë, sipas së cilës Pekini do të shqyrtojë kërkesat për eksport për artikujt, ndërsa SHBA-të do të anulojnë masat kufizuese përkatëse.
Nga ana tjetër, Presidenti Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin një tarifë 20% mbi importet nga Vietnami, në kuadër të një marrëveshjeje të re tregtare të arritur pas negociatave në minutën e fundit.
Fillimisht, produktet vietnameze që hynin në SHBA rrezikonin të përballeshin me një tarifë prej 46%, e cila do të hynte në fuqi javën e ardhshme, si pjesë e politikës së tarifave “reciproke” të shpallura nga Trump në prill.
Në bazë të marrëveshjes, Vietnami do të heqë të gjitha tarifat mbi produktet amerikane. “Vietnami do të bëjë diçka që nuk e ka bërë më parë: do t’i japë Shteteve të Bashkuara qasje të plotë në tregjet e tij,” shkroi Trump në rrjetet sociale.
Në të njëjtën marrëveshje, të cilën Trump e quajti “Marrëveshja e Madhe e Bashkëpunimit”, SHBA do të vendosë një tarifë më të lartë, prej 40%, për mallrat që kalojnë përmes Vietnamit përpara se të eksportohen në SHBA – një praktikë e njohur si “trans-shipping”.
Në një deklaratë të tijën në rrjetet sociale, Trump theksoi se kjo marrëveshje është një hap i madh për tregtinë mes dy vendeve dhe paralajmëroi masa të ashpra ndaj praktikave të paligjshme të rishpërndarjes së produkteve.
Dhjetëra ekonomi të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Japoninë, janë ende në përpjekje për të arritur marrëveshje me SHBA-në përpara se të hyjnë në fuqi tarifat e planifikuara.