“Amerikanët nuk mund t’i shpëtojnë rritjes së çmimeve për nevojat e përditshme”, thonë ekspertët
Inflacioni i konsumatorit në SHBA ka të ngjarë të ketë arritur kulmin e tij pasi është rritur në nivelin më të lartë në më shumë se 40 vjet ndërsa së shpejti pritet të bie, shkruan Anadolu Agency (AA).
Inflacioni vjetor i konsumatorit u rrit me 7.9 për qind në shkurt, duke shënuar rritjen më të madhe 12-mujore që nga janari i vitit 1982, sipas Departamentit të Punës.
Indeksi i çmimeve të konsumit ishte në përputhje me vlerësimet e tregut pasi u rrit me 7.5 për qind në janar.
“Ka të ngjarë të jemi afër kulmit që mund të vijë muajin e ardhshëm”, tha për AA përmes email-it, Craig Erlam, analist i lartë i tregut me qendër në Londër të UK&EMEA në platformën tregtare OANDA.
“Kjo nuk le dyshime se FED (Rezervat Federale të SHBA-së) do të rrisin normat javën e ardhshme dhe në takimet e ardhshme shpreson të përballet me inflacionin, megjithëse e ka injoruar tashmë atë për një kohë të gjatë”, shtoi ai.
Rezerva Federale vitin e kaluar ishin të bindur se inflacioni është “kalimtar”, por më pas e hoqën këtë fjalë nga deklarata e politikës monetare në fund të vitit 2021 dhe sinjalizoi se do të rriste normat në 2022.
Pasi Departamenti i Punës tha se inflacioni i konsumatorit u rrit në nivelin më të lartë në më shumë se katër dekada, probabiliteti i një rritjeje prej 25 pikësh bazë u rrit në 94 për qind pasditen e djeshme, sipas mekanizmit FedWatch të siguruara nga kompania e tregjeve globale me bazë në SHBA, Chicago Mercantile Exchange (CME) Group.
Erlam tha se afrimi drejt kulmit të inflacionit, megjithatë, “nuk do t’i ngushëllojë ata që ndjejnë presionin si rezultat i këtyre rritjeve të përhapura të çmimeve, veçanërisht kur përballen me çmime shumë më të larta të energjisë”.
“Por, trajektorja duhet të fillojë të duket më premtuese pas kësaj”, shtoi ai.
Në bazë vjetore, indekset e çmimeve në SHBA të energjisë, benzinës, gazit natyror dhe energjisë elektrike u rritën me 25.6 për qind, 38 për qind, 23.8 për qind dhe 9 për qind, sipas shifrave të Departamentit të Punës.
“Inflacioni i sotëm është i gjithkund i pranishëm, i thellë dhe i qëndrueshëm”, tha Patrice Onwuka, drejtoreshë e Qendrës për Mundësi Ekonomike të Forumit të Pavarur të Grave (IWF) përmes një emaili për AA.
“Amerikanët nuk mund t’u shpëtojnë çmimeve në rritje për nevojat e përditshme për barna, dyqane ushqimore apo karburant ose të mbajnë çatinë mbi kokë”, shtoi ajo.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden fajësoi presidentin rus, Vladimir Putin për inflacionin rekord të muajit të kaluar, duke thënë se buxheti i amerikanëve po tkurret për shkak të rritjes së çmimeve ndërsa familjet kanë filluar të ndjejnë ndikimet e rritjes së çmimit nga Putini.
“Të dhënat e sotme janë mbledhur përpara se pushtimi rus në Ukrainë të shkaktonte valë tronditëse në tregjet ndërkombëtare të energjisë, kështu që inflacioni në kohë reale ka të ngjarë të jetë më i keq”, tha Onwuka, duke shtuar: “Politikat fiskale dhe energjetike të administratës së Bidenit kanë nxitur rritjen e çmimeve. Shpenzimet e tjera federale vetëm sa do të rrisin çmimet dhe do të shtojnë vështirësitë për familjet amerikane”.
Onwuka argumentoi se zbehja e fuqisë blerëse dhe ulja e kursimeve do të fillojë të ulë cilësinë e jetës për amerikanët, sepse familjet janë të detyruara të marrin vendime të vështira buxhetore pasi ata do të shpenzojnë më shumë nga të ardhurat e tyre në mënyrë proporcionale për gjërat e nevojshme si sendet ushqimore dhe gazi.