Rregullatori i sigurisë së veturave në Shtetet e Bashkuara njoftoi të martën se do të shpërblejë për herë të parë një sinjalizues. Përfitues i më shumë se 24 milionë dollarëve është një ish-punëtor i prodhuesit “Hyundai”, i quajtur Kim Gëangho, i cili ofroi të dhëna kyçe rreth të metave të sigurisë në kompaninë nga Koreja Jugore.
Shpërblimi për ish-inxhinierin e prodhuesit “Hyundai” është shuma më e madhe që i është dhënë një sinjalizuesi në sektorin e automjeteve në nivel botëror, sipas kompanisë ligjore “Constantine Cannon”, që e përfaqësoi përfituesin.
Kim raportoi tek Administrata Kombëtare për Sigurinë në Trafikun e Autostradave në vitin 2016 se kompania “Hyundai” është duke dështuar që të adresojë një të metë të dizajnit, që lidhej me motorët e modelit “Theta II”, të cilët ishin të ndjeshëm ndaj bllokimit dhe madje edhe ndaj përfshirjes nga zjarri, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
“Ky shpërblim është përqindja maksimale e lejuar me ligj. Sinjalizuesit luajnë rol jetik në sjelljen e informacioneve në Administratë për problemet serioze të sigurisë që fshihen nga agjencia”, tha zëvendësadministratori Steven Cliff.
Duke cituar një raport të brendshëm të ekipit për strategji të cilësisë në kompaninë “Hyundai”, të hartuar për menaxhmentin, Kim i kishte thënë agjencisë amerikane se prodhuesi nuk ishte duke marrë masa të mjaftueshme për ta adresuar të metën e motorit, që e rriste rrezikun për aksident.
Administrata për sigurinë në trafik zbuloi se kompania “Hyundai” dhe kompania tjetër në pronësi të saj, “Kia”, ishin vonuar në tërheqjen e automjeteve të prekura dhe se prodhuesi kishte ofruar të dhëna të pasakta rreth problemeve.
Vitin e kaluar, njësitë e kompanive “Hyundai” e “Kia” u pajtuan që të paguajnë gjobë rekorde civile prej 210 milionë dollarësh, pasi autoritetet vlerësuan se kompanitë kishin dështuar që t’i tërhiqnin veturat për probleme në motor në kohën e duhur.