Shtetet e Bashkuara zyrtarisht i janë ribashkuar Marrëveshjes së Parisit për klimën, vetëm një muaj pasi presidenti amerikan, Joe Biden i tha Kombeve të Bashkuara në ditën e parë si president, se Uashingtoni dëshiron që sërish të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Rikthimi në Marrëveshjen për klimën më 19 shkurt, u mirëprit nga liderët botërorë, duke theksuar se tani fokusi do të jetë në atë se cilat janë planet e SHBA-së për të zvogëluar nivelet e gazrave serrë, në përpjekje për të luftuar ngrohjen globale.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për klimën, John Kerry së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutterres do të marrin pjesë në hapjen e Samitit për angazhim global, për të shënuar edhe rikthimin e SHBA-së në këtë marrëveshje.
Guterres deklaroi më 8 shkurt se ripranimi i SHBA-së “në vetvete është shumë i rëndësishëm”, ndërkaq shefja e OKB-së për klimën, Christiana Figures tha se është humbur shumë kohë në trajtimin e ndryshimeve klimatike, pa pjesëmarrjen e ekonomisë më të madhe në botë në Marrëveshjen e Parisit.