Presidenti Joe Biden, ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të kryejë sulme hakmarrëse ajrore kundër grupeve të milicive që mbështeten nga Irani, pasi tre ushtarë amerikanë u plagosën në një sulm me dron në veri të Irakut.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha se një nga ushtarët ka pësuar lëndime kritike gjatë sulmit që ndodhi të hënën, më 25 dhjetor. Milicia Kataib Hezbollah, që mbështetet nga Irani, dhe grupe të lidhura me të që janë pjesë e ombrellës së militantëve të mbështetur nga Teherani, morën përgjegjësinë për sulmin me dron.
Biden, i cili po kalon Krishtlindjen në Kamp David në Marilend, u njoftua për sulmin nga këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. Pak pas sulmit të së hënës, presidenti amerikan urdhëroi Pentagonin dhe këshilltarët e tjerë të sigurisë kombëtare që të përgatisin opsione për përgjigje ndaj sulmit në një bazë ajrore që përdoret nga trupat amerikane në Erbil.