Pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ditët e fundit janë përballur me mote ekstreme. Që nga e hëna verilindja e SHBA-së është vërshuar si pasojë e të reshurave të shumta, ndërkaq perëndimi është në flakë nga temperaturat e larta që kanë thyer rekorde në javët e fundit. Në Philadelphia shiu ka shkaktuar përmbytje.
Të martën, shtetet si New Jersey dhe Pensilvania kanë tërhequr vërejtjen për sasinë e madhe të shiut që mund të rrezikojë zona të ndryshme. Ndërkaq perëndimi i SHBA-së po vazhdon të ketë vështirësi në lokalizimin e zjarreve. Vatrat më të mëdha janë në Kaliforni dhe në Oregon.
Këto dy shtete amerikane janë përfshirë në një valë të të nxehtit, që ka shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Në tri javët e fundit zjarrfikësit kanë dështuar të shuajnë zjarret në Kaliforni.
Sipas llogaritjeve në Nevada janë djegur 362 kilometra katrorë. E diela ka qenë një ditë e suksesshme për ekipet e zjarrfikësve që kanë shuar 23 për qind të zjarreve. Në tri ditët e fundit, temperaturat në perëndimin e SHBA-së kanë arritur deri në 38 gradë celsius.
Shkencëtarët në javët e fundit kanë tërhequr vërejtjen se përmbytjet dhe i nxehti ekstrem në SHBA janë shenjat e para të ngrohjes globale, e cila, sipas tyre, në vitet e ardhshme do të vazhdojë të përkeqësohet.