Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, Shtetet e Bashkuara i kanë regjistruar 56,336 raste të reja të koronavirusit.
Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi i ri në shtetin më të goditur nga pandemia shkoi në mbi 4.29 milionë persona, shkruan “CNN”.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 1,076 të vdekur dhe shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në 148,011.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten bindshëm në vendin e parë në botë në listën e shteteve më të prekura pasi kanë mbi 4.2 milionë persona të infektuar. Në vendin e dytë është Brazili.
Ekspertët thonë se shifrat e vërteta janë më të larta, sepse ka pasur njerëz që kanë vdekur para se të testohen dhe se personat me simptoma të lehta nuk janë testuar fare.
Për ta bërë një krahasim të situatës, më 15 qershor në ShBA ishin regjistruar më pak se 20,000 raste të reja për 24 orë.