Parlamenti kinez ka miratuar ligjin kombëtar për sigurinë e Hong-Kongut, legjislacion ky që provokoi protesta dhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar.
Ligji që ka përparësi mbi kuadrin ligjor të ish-kolonisë britanike e bën të dënueshme ndërmarrjen e protestave të dhunshme, nismat për vetëvendosje, tentativat për rrëzimin e pushtetit dhe ndërhyrjet e shteteve të huaja.
Sipas Uashingtonit, me miratimin e legjislacionit shkelet marrëveshja e vitit 1997, ndaj SHBA-ja mund të anulojë disa nga privilegjet që aplikon tashmë në qytetin gjysmautonom, siç janë tarifat preferenciale.
“Sot i raportova Kongresit se Hong-Kongu nuk është më i pavarur nga Kina, në bazë të fakteve në terren. Shtetet e Bashkuara janë përkrah popullit të Hong-Kongut,” u shpreh me një mesazh në mediet sociale, kryediplomati amerikan, Majk Pompeo.
Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se brenda javës do dalë me një qëndrim zyrtar për çështjen.
Aktivisti i njohur për demokracinë në Hong-Kong, Xhoshua Uong, tha të enjten se ligji i ri për sigurinë është mënyra si Pekini synon të shtypë opozitarizmin.
“Sanksionet e pjesshme, embargot madje edhe ngrirja e organeve ekonomike të Hong-Kongut mund të jenë disa nga armët që bota duhet t’i tregojë Pekinit për t’ia bërë të qartë se duhet të tërhiqet nga zbatimi i legjislacionit të ri.”
Gjatë ditës, në parlamentin e Hong-Kongut u raportuan përplasje teksa ligjvënësit debatuan një ligj që dënon me gjobë ose me burg personat që fyejnë himnin kombëtar të Kinës.
Ligji pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm dhe e bën të detyrueshëm mësimin në shkolla dhe këndimin e të këngës solemne në institucionet e vendit.