“Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin tek Kryeministri Rama një aleat kyç në përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjen e paqes globale në të gjithë botën”. Ky ishte thelbi i fjalimit të mbajtur ditën e enjte, nga Ambasadori i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB, në të cilin Kryeministri Rama ishte i pranishëm në cilësinë e presidentit të OSBE-së.
Disa nga pikat kyçe të vendosura nga Kryeministri Rama, si president i OSBE-së gjatë 2020-së është negocimi i zgjidhjes së konflikteve, demilitarizimi dhe kontrolli i armëve, si dhe promovimi i të drejtave dhe punësimit të grave, si në zonat e konfliktit, ashtu edhe brenda strukturës së OSBE.
Për Uashingtonin, presidenca e Shqipërisë do të jetë vendimtare në qetësimin e krizës në Ukrainë si dhe në disa vende të tjera delikate në Europën Lindore, përfshi Osetinë dhe Abkazinë në Gjeorgji, Nagorno-Karabakun, enklavën armene në Azerbajxhan apo Transnistrinë në Moldavi.
“Kryeministër Rama, është një nder që t’iu kemi sot në këtë sallë dhe faleminderit për përmbledhjen tuaj. Të drejtat e njeriut, demokracia, paqja dhe ruajtja e stabilitetit rajonal kanë një rëndësi vitale për të gjithë ne, por këto nuk mund të zbatohen pa përpjekje konkrete. Kjo e shndërron OSBE-në në një partner kyç në promovimin e këtyre vlerave, e gjithashtu plotëson përpjekjet e këtij Këshilli për të adresuar shqetësimet e sigurisë globale”, theksoi ambasadori amerikan gjatë fjalës.
Ai tha më tej se lufta kibernetike dhe fushatat e dezinformimit, përfshi përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të treta kërcënojnë thelbin e shoqërive të lira dhe të drejta.
“Kryeministër, ne e vlerësojmë angazhimin e OSBE për të luftuar këto sulme mbi liritë dhe sfidat e bashkëlidhura gjatë presidencës suaj. Si një anëtar dhe kontributori më i madh në financa dhe njerëz në OSBE, Shtetet e Bashkuara po nxisin avancimin e të gjithë dimensioneve të punës së OSBE. Ne inkurajojmë progresin drejt një përditësimi gjithëpërfshirës të Dokumentit të Vienës, për të rritur transparencën ushtarake dhe për të rindërtuar besimin midis 57 anëtarëve të OSBE”, tha ai duke iu drejtuar kryetarit të OSBE-së, kryeministrit Edi Rama.
Askund tjetër nuk është prezenca e OSBE-së më e rëndësishme se sa në Ukrainë, theksoi ambasadori amerikan, duke shtuar se agresioni rus ende në vijim ka shkaktuar vdekjen e mbi 13 mijë personave dhe zhvendosjen e 1.4 milionë të tjerëve, e ka lënë 3.4 milionë të tjerë në nevojë për ndihmë humanitare. Ky agresion përbën sfidën më të rëndë ndaj sigurisë europiane që prej fundit të Luftës së Ftohtë”.
Megjithatë, theksoi ai, duhet që menjëherë Rusia të zbatojë marrëveshjen e Minskut, tërheqë forcat e saj dhe të mbështesë një demilitarizimin e mëtejshëm, zgjerojë pikat e kalimit dhe të respektojë sovranitetin ukrainas si në Ukrainën Lindore, ashtu edhe në Krime.
“Në rrethana të tilla kaq të vështira jemi krenarë për punën e zhvilluar nga OSBE në Ukrainë, përfshi misionin special të monitorimit (MSM) dhe vlerësimet e tij thelbësore për situatën në terren. Ne i bëjmë thirrje Rusisë dhe njësive të saj që të rreshtin së penguari punën e monitoruesve të MSM, duke i lejuar akses dhe liri të plotë për të përmbushur mandatin e OSBE-së”, nënvizoi ambasadori.
Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht sovranitetin e Ukrainës, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, në përputhje me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, përfshi kufijtë detarë”, theksoi diplomati amerikan në OKB duke shtuar se “ne nuk njohim dhe as do të njohim ndonjëherë aneksimin e dhunshëm të Krimesë”.
“Ne i bashkohemi partnerëve tanë europianë në konfirmimin se sanksionet e lidhura me Krimenë do të vijojnë të jenë në fuqi deri sa Rusia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj të Minskut. Sanksionet tona të lidhura me Krimenë do të vijojnë të jenë në fuqi deri në momentin kur Rusia të kthejë plotësisht kontrollin e Krimesë në duart e Ukrainës. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë pushtimin e Abkazisë dhe Osetisë Jugore, që janë pjesë e Gjeorgjisë. Veprimet e Rusisë bien ndesh me angazhimet e saj ndërkombëtare dhe dhunojnë sovranitetin e Gjeorgjisë, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial në përputhje me kufinjtë e njohur ndërkombëtarisht”, deklaroi ambasadori i SHBA-së.
“Ne presim që të punojmë me OSBE-në për zgjidhjen e këtyre konflikteve, përfshi diskutimet ndërkombëtare të Gjenevës dhe bisedimet 5+2. Ne falënderojmë kryesinë e OSBE dhe vendet drejtuese për mbështetjen e procesit të Minskut, ku Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca po punojnë në mënyrë produktive si bashkëkryetare për të negociuar një marrëveshje për konfliktin e Nagorno-Karabakhut. Siç theksova në fillim të fjalës sime, respektimi i të drejtave të njeriut, demokracisë, shtetit ligjor, paqes dhe stabilitetit kërkojnë përpjekje aktive. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj këtyre përpjekjeve dhe do të vazhdojnë të punojnë ngushtësisht me OKB-në dhe OSBE-në për të forcuar principet që ruajnë shtetet e lira si në rajonin e OSBE, ashtu edhe anembanë globit”, përfundoi ambasadori i SHBA-së./ATSH/