Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, 20,634 raste të reja të koronavirusit janë regjistruar gjatë 24 orëve të kaluara në Shtetet e Bashkuara.
Përpos të infektuarve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 633 viktima, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 1,643,246 persona, ndërsa shifra e të vdekurve shkoi në 97,720. Me këto të dhëna, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë bindshëm në vendin e parë në botë.
Pavarësisht gjendjes shqetësuese, presidenti Donald Trump disa herë ka bërë thirrje për largimin e masave kufizuese dhe riaktivizimin e ekonomisë, ndonëse ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se një gjë e tillë do të ndikonte në shtimin e rasteve.
Kryeinfektologu amerikan, Anthony Fauci, disa herë është përplasur me shefin e Shtëpisë së Bardhë për shkak të qëndrimeve të ndryshme në lidhje me menaxhimin e pandemisë.