Qeveria amerikane miratoi shitjen prej 23 miliardë dollarësh të 40 avionëve të rinj luftarakë F-16 për Turqinë si dhe 79 njësi me paisje për modernizimin e avionëve të saj ekzistues luftarakë.
Departamenti i shtetit njoftoi vendimin më një ditë pasi Ankaraja përfundoi plotësisht ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, një lëvizje që u lidh drejtpërdrejt me shitjet e avionëve. Turqia ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO pas më shumë se një viti vonesë duke shkaktuar tension në aleancë.
Departamenti Amerikan i Shtetit i tha Kongresit se kishte miratuar gjithashtu shitjen e 40 avionëve luftarakë F-35 në Greqi, me kosto 8.6 miliardë dollarë.
Për herë të parë, Turqia në tetor 2021 kërkoi të blinte avionë F-16 me vlerë 20 miliardë dollarë dhe gati 80 njësi me paisje për modernizimin e avionëve të saj ekzistues luftarakë, por vonesa e saj në ratifikimin e ofertës suedeze për NATO-n doli të ishte një pengesë e madhe për blerjen e tyre. Turqia ishte e shqetësuar për atë që e quajti mbështetjen e Suedisë për separatistët kurdë.
Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022 rriti rëndësinë e Turqisë si një mburojë e NATO-s në rajonin e Detit të Zi.
“Aprovimi im i kërkesës së Turqisë për blerjen e avionëve F-16 ka qenë i kushtëzuar nga miratimi i Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO”, tha senatori demokrat Ben Cardin, kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, një nga katër komitetet kyçe që duhet të miratojë transferimet e armëve.
“Por mos bëni gabim: ky nuk ishte një vendim që e mora lehtë” tha ai, citon BBC.
Tani Hungaria është i vetmi anëtar i NATO-s që ende ka ratifikuar pranimin e Suedisë, megjithëse kohët e fundit ka pasur shenja përparimi.
Vitin e kaluar, SHBA miratoi transferimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16 të prodhimit amerikan nga Danimarka dhe Holanda, pasi pilotët ukrainas të trajnohen plotësisht për t’i operuar ato.