Departamenti i Shtetit i SHBA-ve miratoi shitjen e 2 llojeve të ndryshme të helikopterëve sulmues për Filipinet në vlerë prej rreth 2 miliardë dollarë.
Në një deklaratë me shkrim nga Agjencia amerikane për bashkëpunimin e sigurisë së mbrojtjes thuhet se “Departamenti Amerikan i Shtetit në kuadër të shitjes së jashtme ushtarake për Filipinet vendosi miratimin e shitjes së 6 helikopterëve sulmues të tipit ‘AH-64 Apache’ si dhe për armatimet dhe pajisjet me një vlerë prej 1.5 miliardë dollarë”.
Lidhur me shitjen, Kongresit iu dërgua njoftim thuhet në deklaratën ku vihet në dukje se në paketën e shitjes përfshihen 12 motorë helikopterësh, 6 prej tyre rezervë, 15 sisteme GPS, 200 raketa Hellfire, 12 raketa trajnuese Hellfire si dhe shumë armatime dhe pajisje të tjera.
Në një deklaratë tjetër nga agjencia thuhet se Departamenti në të njëjtën kohë ka miratuar edhe shitjen e 6 helikopterëve të tipit “AH-1Z Kobra” në vlerë prej 450 milionë dollarë.
Në këtë paketë të shitjes janë përfshirë një numër i ngjashëm i raketave, motorëve rezervë dhe armatimeve të tjera, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se Filipinet do të preferojnë një nga 2 llojet e helikopterëve.
Miratimi i shitjes së armëve nga Departamenti nënkupton se shitjet nuk përbëjnë problem për administratën amerikane.
Nëse Kongresi nuk kundërshton vendimin e Departamentit brenda 30 ditë pune, atëherë fillojnë bisedimet për paketën e shitje me vendin për të cilin qeveria ka miratuar shitjen.
Në fund të këtyre bisedimeve, SHBA i ofron këtij vendi një letër oferte. Nëse merr përgjigje pozitive për ofertën atëherë zhvillohet procesi i furnizimit./AA/