Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të shtunën u deklarua kundër kërkesave australiane për t’i dhënë fund ndjekjes penale ndaj themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.
Sipas tij, shtetasi australian wshtw akuzuar për “sjellje shumë të rënda kriminale” në publikimin e një grumbulli dokumentesh të klasifikuara më shumë se një dekadë më parë.
Qeveria e Partisë Laburiste e qendrës së majtë në Australi, ka argumentuar kur fitoi zgjedhjet vitin e kaluar se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund ndjekjes së 52-vjeçarit, i cili ka kaluar katër vjet në një burg britanik, duke luftuar kundër ekstradimin në Shtetet e Bashkuara.
Liria e Assange shihet gjerësisht si një provë e ndikimit të Australisë me administratën e Presidentit, Joe Biden.
Blinken konfirmoi të shtunën se Assange ishte diskutuar në bisedimet vjetore me Ministren e Jashtme Penny Wong në Brisbane, Australi.
“Unë i kuptoj shqetësimet dhe pikëpamjet e australianëve. Mendoj se është shumë e rëndësishme që miqtë tanë këtu të kuptojnë shqetësimet tona për këtë çështje,” u tha Blinken gazetarëve.
“Zoti Assange u akuzua për sjellje shumë të rënda kriminale në Shtetet e Bashkuara, në lidhje me rolin e tij të dyshuar në një nga kompromentimet më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë e vendit tonë”, shtoi ai.
Wong tha se ndjekja penale e Assange ishte “zvarritur për një kohë të gjatë” dhe se Australia donte që akuzat “të shkonin drejt një përfundimi”.
Australia është e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara do të heqin dorë nga ndjekja penale, apo do të arrijnë një marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Assange përballet me 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuterik, lidhur me publikimin e qindra mijëra dokumenteve diplomatike dhe ushtarake të klasifikuara nga WikiLeaks në vitin 2010.
Prokurorët amerikanë pretendojnë se ai ndihmoi analisten e inteligjencës së Ushtrisë Amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike të klasifikuara dhe dosjet ushtarake që WikiLeaks publikoi më vonë, duke vënë në rrezik jetën e shumë personave.
Australia argumenton se ka një “shkëputje” midis trajtimit amerikan të Assange dhe Manning.
Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, e ndryshoi dënimin 35-vjeçar të Manning në shtatë vjet, gjë që lejoi lirimin e saj në 2017. Apnews