Një zyrtar i lartë i administratës së Donald Trump deklaroi të martën se, nëse bllokada për financimin e qeverisë vazhdon, disa aeroporte – veçanërisht ato më të vegjël – mund të detyrohen të mbyllen në javët në vijim për shkak të mungesës së personelit të sigurisë.
Mbyllja e pjesshme e qeverisë, e cila ka hyrë në ditën e 31-të, ka detyruar rreth 50 mijë punonjës të Transportation Security Administration (TSA) të punojnë pa pagesë për më shumë se një muaj. Si pasojë, rreth 10% e tyre nuk u paraqitën në punë të dielën.
“Nëse kjo situatë vazhdon, nuk është ekzagjerim të thuhet se mund të detyrohemi të mbyllim realisht disa aeroporte – veçanërisht ato më të vegjël, nëse mungesat rriten,” tha zv/administratori në detyrë i TSA, Adam Stahl, për “Fox and Friends”.
Ndërkohë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, u shpreh se aeroportet “po arrijnë pikën e thyerjes”. Bllokada ka shkaktuar ndërprerje të herëpashershme të udhëtimeve ajrore, ndërsa drejtuesit e kompanive më të mëdha ajrore kanë bërë thirrje për një zgjidhje të shpejtë, në një kohë kur sezoni i udhëtimeve të pranverës është në kulm.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), zakonisht më pak se 2% e punonjësve të TSA mungojnë në punë. Por që prej 14 shkurtit, kur skadoi financimi, në aeroporte të mëdha si Atlanta, New York JFK dhe Houston, mungesat kanë arritur në rreth 20%.
DHS bëri të ditur gjithashtu se 366 punonjës të TSA kanë lënë punën gjatë kësaj periudhe. Vetëm të dielën dhe të hënën, mungesat në Houston tejkaluan 50%, ndërsa në New Orleans dhe Atlanta mbi 30%, duke shkaktuar pritje deri në dy orë për udhëtarët.
Në vjeshtën e kaluar, një tjetër mbyllje e qeverisë që zgjati 43 ditë solli ndërprerje të mëdha në fluturime dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi reduktimin me 10% të fluturimeve në aeroportet kryesore. “Edhe një herë, udhëtimet ajrore po bëhen viktimë e lojërave politike,” shkruan drejtuesit e linjave ajrore.
Senatorët nga të dyja partitë dështuan javën e kaluar në përpjekjet për të miratuar financimin e TSA. Financimi i DHS skadoi më 13 shkurt, pasi Kongresi nuk arriti një marrëveshje për reformat në zbatimin e ligjit të emigracionit të kërkuara nga demokratët.
Ndërkohë, kompanitë ajrore presin një sezon rekord udhëtimesh pranverore, me rreth 171 milionë pasagjerë, 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Disa aeroporte kanë mbyllur një pjesë të pikave të kontrollit të sigurisë, ndërsa të tjerë po përpiqen të mbledhin fonde për të ndihmuar punonjësit e TSA të sigurojnë ushqim dhe nevoja bazë gjatë kohës që mbeten pa pagesë.


