Presidenti amerikan, Joe Biden, përshëndeti të enjten armëpushimin që pritet t’i jap fund luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, duke thënë se ai sheh një “mundësi të mirëfilltë” drejt qëllimit më të madh për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Presidenti Biden e përshëndeti kontributin e qeverisë egjiptiane, e cila luajti një rol vendimtar në ndërmjetësimin e armëpushimit dhe tha se ai dhe ndihmësit e lartë të Shtëpisë së Bardhë ishin përfshirë intensivisht në një përpjekje “orë pas ore” për të ndalur gjakderdhjen.
“Unë besoj se palestinezët dhe izraelitët meritojnë të jetojnë në mënyrë të sigurt dhe në siguri, të gëzojnë masë të barabartë të lirisë, begatisë dhe demokracisë”, tha Presidenti Biden. “Administrata ime do të vazhdojë diplomacinë tonë të qetë, të paepur drejt arritjes së këtij synimi.”
Presidenti bëri një deklaratë për mediat në Shtëpinë e Bardhë, menjëherë pasi Izraeli dhe Hamasi njoftuan se armëpushimi do të hynte në fuqi në 2 orën të mëngjesit të së premtes, duke i dhënë fund një lufte 11-ditore që shkatërroi një pjesë të gjerë të Rripit të Gazës dhe ndali shumicën e aktiviteteve në pjesën më të madhe të Izraelit.