Një rritje e ndjeshme e vdekjeve të reja nga COVID-19 u raportua në SHBA në 24 orët e fundit.
Me 2 564 viktimat e fundit nga COVID-19, numri i përgjithshëm i tyre në SHBA u rrit në 559 116, sipas të dhënave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins.
Kjo është shumë më e lartë se një mesatare shtatëditore prej 992 vdekjesh dhe shifra më e lartë ditore e regjistruar në vend që nga 19 shkurti.
Rritja e papritur është në kontrast me trendin e fundit të reduktimit të vdekjeve nga pandemia.
Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vdekjet nga COVID-19 u ulën 19,7 %, në një mesatare shtatëditore prej 745 në ditë.
Me 73 200 raste të reja që raportuan në të gjithë vendin në 24 orët e fundit, totali i tyre arriti në 30 922 759, më i lartë se mesatarja 7-ditore prej 65 556 rastesh.
Pranimet në spital gjithashtu kanë vazhduar të rriten ditët e fundit.
Mesatarja më e fundit shtatëditore me rreth 5 000 pranime në ditë është rreth 2,7 % më e lartë se mesatarja javore e mëparshme.
“Në të gjithë vendin, po dëgjojmë raporte të grupeve të rasteve që lidhen me qendrat e kujdesit ditor dhe ato sportive të të rinjve. Spitalet po shohin gjithnjë e më shumë të rinj, në të 30-t dhe 40-t, të pranuar me sëmundje të rëndë”, tha CDC.
Sipas vlerësimeve më të fundit nga CDC, varianti britanik, i njohur klinikisht si varianti B117, tani është varianti më i zakonshëm që qarkullon në SHBA.