SHBA sekuestruan një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës, Maduro: Pirateri ndërkombëtare (video)

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Forcat amerikane kanë sekuestruar një anije cisternë nafte në ujërat pranë Venezuelës, njoftoi Presidenti Donald Trump gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë.

“Sapo kemi sekuestruar një anije cisternë në bregdetin e Venezuelës – një anije shumë të madhe, në fakt më të madhen e sekuestruar ndonjëherë”, u shpreh ai para gazetarëve.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, publikoi pamje të operacionit, duke e përshkruar cisternën si një “anije të madhe me naftë bruto të përdorur për transportin e naftës së sanksionuar nga Venezuela dhe Irani”. Sipas saj, sekuestrimi është kryer në bashkëpunim me FBI-në, Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Rojën Bregdetare.

Qeveria e Venezuelës e denoncoi menjëherë operacionin amerikan, duke e cilësuar atë si “pirateri ndërkombëtare”. Presidenti Nicolás Maduro ka deklaruar më herët se vendi i tij “nuk do të bëhet kurrë një koloni nafte”.

Administrata amerikane e ka akuzuar prej kohësh Venezuelën për trafikun e narkotikëve drejt SHBA-së dhe ka shtuar presionin diplomatik ndaj qeverisë së Maduros gjatë muajve të fundit. Karakasi, nga ana tjetër, këmbëngul se Uashingtoni po kërkon të vjedhë burimet e pasura të naftës të vendit.

Pamjet e publikuara tregojnë një helikopter ushtarak që qëndron pezull mbi anijen cisternë, ndërsa trupa zbresin me litarë në kuvertë me armë në duar. Sipas një zyrtari të lartë ushtarak amerikan, helikopterët u nisën nga aeroplanmbajtësja USS Gerald Ford, e dërguar në Karaibe muajin e kaluar.

Share This Article