Senati amerikan votoi të shtunën për të nisur debatin mbi projektligjin voluminoz të shpenzimeve të propozuar nga Presidenti Donald Trump, i cilësuar prej tij si “i madh dhe i bukur”. Pas orësh negociatash intensive, udhëheqësit republikanë arritën të sigurojnë një votim të ngushtë 51-49, duke kaluar fazën procedurale pavarësisht ndarjeve brenda partisë.
Projektligji, me një volum prej 940 faqesh dhe me vlerë triliona dollarë, hasi rezistencë nga dy senatorë republikanë, Thom Tillis dhe Rand Paul, të cilët iu bashkuan demokratëve në kundërshtimin ndaj përmbajtjes aktuale të dokumentit.
Senatori Ron Johnson fillimisht votoi kundër, por në minutën e fundit ndryshoi qëndrim, duke i hapur rrugën procedurës. Zëvendëspresidenti JD Vance ishte i pranishëm gjatë natës në Senat, në gatishmëri për të dhënë votën vendimtare në rast të një barazimi.
Debati mbi përmbajtjen e projektligjit pritet të zgjasë me orë të tëra. Senatori demokrat Chuck Schumer ka premtuar se dokumenti do të lexohet i plotë në sallën e Senatit para votimit përfundimtar.
Ndërkohë, Trump ka shtuar presionin ndaj ligjvënësve republikanë që ta miratojnë sa më parë paketën e shpenzimeve, me objektivin që ajo të nënshkruhet përpara afatit të 4 korrikut që ai ka vendosur.