Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-ja ka kryer një sulm kundër një anijeje që transportonte drogë në jug të Karaibeve, duke vrarë 11 “narkoterroristë”. Ai postoi në mediat sociale se operacioni ushtarak amerikan i së martës kishte në shënjestër anëtarët e bandës venezueliane Tren de Aragua.
Trump tha se anija ndodhej në ujëra ndërkombëtare dhe po transportonte drogë të paligjshme me destinacion SHBA-në.
“Herët këtë mëngjes, me urdhër të mi, Forcat Ushtarake Amerikane kryen një sulm kinetik kundër narkoterroristëve të Tren de Aragua të identifikuar pozitivisht në zonën e përgjegjësisë së SOUTHCOM. Sulmi rezultoi në 11 terroristë të vrarë në aksion. Asnjë forcë amerikane nuk u lëndua në këtë sulm. Ju lutem, le të shërbejë kjo si njoftim për këdo që mendon të sjellë drogë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. KUJDES!”, shkroi Trump.
Postimi i tij u shoqërua nga një video ajrore e paqartë që tregonte një varkë me motor që ecte me shpejtësi nëpër ujëra të trazuara përpara se të shpërthente në flakë.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministri i Komunikacionit i Venezuelës, Freddy Nanez, sugjeroi, pa prova, se videoja e ndarë nga Trump ishte krijuar me inteligjencë artificiale.
Administrata Trump ka shtuar presionin ushtarak dhe politik kundër presidentit Venezuelan Nicolas Maduro në javët e fundit, përfshirë një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacionin që do të çojë në arrestimin e tij për akuzat e trafikimit të drogës.
Maduro është zotuar se Venezuela do të luftojë çdo përpjekje për ndërhyrje ushtarake amerikane.
Që prej kthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, administrata Trump ka cilësuar disa organizata të trafikut të drogës dhe grupe kriminale në Meksikë dhe gjetkë në Amerikën Latine si organizata terroriste.
Midis tyre janë Tren de Aragua dhe një grup tjetër venezuelian, “Karteli i Diejve”, për të cilin autoritetet amerikane pretendojnë se drejtohet nga Presidenti Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë, disa të nxjerrë nga shërbimet ushtarake ose të inteligjencës së vendit.