Zëdhënësi i NATO-s gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë, Jamie Shea, është shprehur se edhe pas 22 vitesh që kur ka përfunduar lufta në Kosovë, gjithmonë i ndjek zhvillimet në Kosovë dhe se Kosova është tashmë në ADN-në e tij.
“Kosova është në ADN-në time. Gjithmonë i lexoj artikujt, gjithmonë ndjek zhvillimet aq afër sa mundem. Është një dashuri për jetë. Dhe, do të doja shumë të kthehem në Prishtinë, t’i shoh njerëzit, të flas me ta, sërish, ta shoh progresin që është bërë dhe t’ua përkujtoj njerëzve ta shikojnë progresin dhe të mos e humbasin shpresën për të ardhmen. Kështu që, jam gjithnjë në shërbim të Kosovës, në çfarëdo mënyre modeste që mund të jem në shërbim. Të shpresojmë që kjo punë e tmerrshme me COVID të largohet përfundimisht deri vitin e ardhshëm, dhe unë mund t’i hipi aeroplanit dhe të vij t’ju shoh në Kosovë”, është shprehur Shea.