Maximiliano Dávila, ish-drejtori i Agjencisë së Anti-Narkotikëve në Bolivi, i njohur si “Macho”, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuza për trafik droge. Ekstradimi i tij, i cili u krye të enjten, u miratua nga Gjykata e Lartë e Bolivisë në fund të nëntorit.
Dávila, 60 vjeç, ishte arrestuar në shkurt të vitit 2022 në Bolivi për akuza korrupsioni dhe që atëherë kishte qëndruar në burg. Në të njëjtin muaj, zyrtarët amerikanë e akuzuan për trafikim të kokainës dhe një akuzë të lidhur me armët.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së pretendon se Dávila ishte i përfshirë në trafikimin e narkotikëve para dhe gjatë mandatit të tij si drejtues i Forcave Speciale të Bolivisë për Luftën Kundër Trafikimit të Drogës (FELCN). Ai akuzohet se ka përdorur pozitën e tij për të mbrojtur avionët e përdorur për transportimin e kokainës në vende të treta, për t’u shpërndarë më pas në Shtetet e Bashkuara.
Sipas dokumenteve amerikane, nëse shpallet fajtor, Dávila përballet me një dënim minimal prej 10 vitesh burg deri në dënim me burg përjetë. Në vitin 2022, Departamenti i Shtetit ofroi një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacion që mund të çonte në dënimin e tij.
Dávila ka shërbyer si drejtues i FELCN nën administratën e ish-presidentit Evo Morales, i cili qeverisi Bolivinë nga viti 2006 deri në 2019.
Pas ekstradimit të Dávila-s, Morales e kritikoi këtë veprim, duke deklaruar se “Bolivia është sërish një koloni e SHBA-së”. Ai akuzoi autoritetet se kanë shkelur marrëveshjet ndërkombëtare duke ekstraduar Dávila-n pa u gjykuar më parë në Bolivi.
Morales, i cili është vetë nën hetim për akuza të trafikimit të qenieve njerëzore dhe përdhunim, i ka mohuar akuzat dhe ka kritikuar ashpër autoritetet. Mbështetësit e tij kanë organizuar protesta të gjera për të kundërshtuar hetimin.