Kosova
Shefi i NATO-s takon sot Kurtin dhe Vuçiqin, një ditë para takimit në Bruksel
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot do t’i takojë ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë para takimit të dy liderëve në Bruksel.
Kështu bëhet e ditur në njoftimet e NATO-s lidhur me këto dy takime, raporton Telegrafi.
Pas këtyre dy takimeve të shefit të NATO-s, me Kurtin dhe Vuçiqin do të ketë edhe konferencë për media.
Konferenca për media ndërmjet Stoltenbergut dhe Vuçiqit do të mbahet në orën 15:30, ndërkaq me kryeministrin Kurti do të mbahet në orën 17:00.
Ndërkaq, 18 gusht pritet të takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas tensionimit të situatës në veri për shkak të vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë.
Para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet si dhe me të dërguarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin, Stuart Peach.
Kurti, në një shkrim në Twitter, bisedën me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, e ka quajtur “telefonatë të frytshme”.
Siç tha kryeministri, biseda ka qenë lidhur me dialogun me Serbinë, duke u fokusuar te nevoja për arritjen e një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke.
“Një bisedë e frytshme telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit (Derek Chollet), lidhur me shumë çështje, përfshirë dialogun me Serbinë; rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke”.
“Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në Uashington në muajin e kaluar”, ka shkruar Kurti.
Kurti, më herët gjatë ditës së martë, zhvilloi bisedë telefonike edhe me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Siç njofton Kurti në Twitter, është biseduar për takimet në Bruksel dhe rëndësinë për një marrëveshje me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përpara diskutimeve në Bruksel, pata një telefonatë produktive me të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, duke theksuar nevojën për një marrëveshje të përqendruar në njohjen reciproke dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, deklaroi Kurti.
E një ditë para takimit të 18 gushtit, Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën e takimit Kurti-Vuçiq, ndërsa u tha se do të fokusohen në marrëveshjen për normalizim.
Takimi i cili do të fillojë në orën 10:30, do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak.
“Të enjten, më 18 gusht, në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi. Ai do të ndihmohet nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak”.
“Do të marrin pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Takimi do të fillojë në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Po ashtu, bëhet e ditur se do të trajtohen çështjet aktuale me synim siç thuhet, zbutjen e tensionit aktual në terren.
“Përfaqësuesi i Lartë do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider. Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë”, thuhet më tej.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga ekzekutivi kosovar
Herën e fundit ata janë takuar më 5 maj në një darkë joformale, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të cilët paraprakisht ishin takuar ndaras me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Kosova
Tragjedi në Prizren, humb jetën një fëmijë njëvjeçar si pasojë e zjarrit
Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një shtëpi banimi pranë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë njëvjeçar.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.
“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë,” tha Bytyqi për Telegrafin.
Ai bëri të ditur se njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.
Bytyqi theksoi se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.
Kosova
“Tageszeitung” e Berlinit: “Shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre”
Nuk kanë kaluar as pak muaj që kur Albin Kurti vizitoi Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministri i Kosovës mori duartrokitje të stuhishme nga politikanë e publicistë, nga antifashistë e punëtorë ndërtimi, nga gra e burra që ndodheshin rastësisht në atë ndërtesë. Kurti ka karizëm dhe është i besueshëm. Këtë e ndjenë njerëzit në sallë atëherë, dhe këtë e treguan edhe të dielën, kur Kosova e rizgjodhi Kurtin me 50 për qind të votave.
Gjithkush në atë sallë në Sarajevë e dinte se Albin Kurti, që kur ishte student në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, ishte pjesë e rezistencës me mjete paqësore kundër pushtimit serb; se ai dergjej në burgjet serbe që nga viti 1998 dhe se më në fund, në vitin 2000, pas luftës së Kosovës, mundi të kthehej në atdheun e tij. Serbët, deri para pak kohësh, donin të pengonin çdo kontakt mes shoqërisë boshnjake dhe asaj kosovare. Të dyja shoqëritë pësuan më së shumti gjatë luftërave të Jugosllavisë (1991-2001) nga sulmet e forcave ushtarake serbe; miliona njerëz u dëbuan atëherë dhe dhjetëra mijëra u vranë. Ky fat i bashkon ata.
Njësoj i bashkon edhe vetëdija se shoqëritë e përcaktuara mbi baza etnike çojnë vetëm në konflikte të mëtejshme. Bosnja, para 30 vitesh, u nda në zona etnike me ndihmën e rusëve, SHBA-së dhe gjithashtu Evropës; këtë gjë Kurti dëshiron ta shmangë me çdo kusht në Kosovë. Ai angazhohet për një shoqëri multietnike, duke qëndruar kështu pas kushtetutës së vendosur nga OKB-ja. Të drejtat e pakicave janë të garantuara, siç e dëshmojnë enklava e Graçanicës dhe zona të tjera. Por Serbia kërkon të imponojë ndarjen etnike në Kosovë dhe kështu provokon vazhdimisht konflikte, të cilat pastaj i faturohen Kurtit.
Por njerëzit në Kosovë i besojnë atij dhe qeverisë së tij; Kurti nuk është një „nacionalist i majtë“. Nuk është për t’u habitur që shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre. /REL
Kosova
Këta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka shkuar mbi 10 për qind, kurse rezultatet preliminare për dhjetë kandidatët më të votuar të Vetëvendosjes deri në orën 18:25 janë këto:
Albin Kurti me 37,026 vota,
Glauk Konjufca me 28,972 vota,
Hekuran Murati me 15,143 vota,
Albulena Haxhiu me 14,823 vota,
Donika Gërvalla me 13,016 vota,
Xhelal Sveçla me 11,922 vota,
Hajrulla Çeku me me 10,682 vota,
Avni Dehari me 9,709 vota,
Mimoza Kusari me 9,050 vota
Ejup Maqedonci me 8,493 vota.
Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave.
Në bazë të këtyre rezultateve, LVV siguron 56 mandate(pa votat e diasporës dhe ato me kusht)./REL
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania7 hours agoEmigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban
