Një shef i policisë britanike dha dorëheqje të enjten pasi u bë shkak i një proteste pas komenteve që ai bëri për mënyrën se si gratë duhet të sillen në “rrugë” kur foli për rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje nga një oficer policie.
Philip Allott dha dorëheqjen si komisar i policisë, zjarrit dhe krimit në Yorkshire të Veriut pasi u akuzua për mizogji dhe fajësim të viktimës nga komentet që bëri në një intervistë në radio pas dënimit të oficerit të policisë në Londër, Wayne Couzens.
Couzens u dënua muajin e kaluar për mashtrimin e 33-vjeçares Sarah Everard në makinën e tij duke e arrestuar me pretekstin e shkeljes së rregullave të COVID-19, pastaj përdhunimin dhe vrasjen e saj, raporton AP.
Në intervistën për BBC në fillim të këtij muaji, Allott tha se gratë “duhet të jenë të mençura se kur mund të arrestohen dhe nuk mund të arrestohen”. Ai tha se Everard “kurrë nuk duhet të ishte arrestuar dhe t’i nënshtrohej atij (arrestimit)”.
Komentet kanë zemëruar shumë gra, si dhe ato që punojnë në shërbimet policore dhe zjarrfikëse, dhe kryeministri Boris Johnson ka thënë se komentet ishin të gabuara dhe “krejtësisht të kundërta” nga ajo që duhej të thuhej.
Komentet u kritikuan veçanërisht sepse u bënë pasi policia britanike u vu nën një kontroll të fortë pas dënimit të Couzens. Cressida Dick, shefja më e lartë e policisë në Britani, është vënë nën presion për të dhënë dorëheqjen dhe pranoi se policia duhet të punojë shumë për të fituar besimin e grave dhe komuniteteve të cilave u shërbejnë.
Allott, i cili tashmë kishte kërkuar falje dhe kishte tërhequr komentet, dha dorëheqjen pasi stafi i tij i dha atij një votë mosbesimi të enjten.
“Kam folur gabim dhe jam i shkatërruar nga efekti që kjo ka pasur tek viktimat e krimit dhe grupet që i mbështesin ata,” tha ai.