Shefja e policisë federale, Eva Wildi-Cortés, ka folur për situatën me kriminalitetit në vend, duke theksuar kërcënimin në rritje të trafikimit të qenieve njerëzore, armëve dhe narkotikëve.
Në një intervistë për “NZZ am Sonntag”, Wildi-Cortés ka deklaruar se në mesin e organizatave kriminale që kanë krijuar ‘strehën’ e tyre në Zvicër, janë edhe grupet shqiptare që sipas saj merren me prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.
“Këto përfshijnë organizatën e njohur italiane ‘Ndrangheta’, e cila përdor Zvicrën për pastrim parash. Por edhe organizatat kriminale nga Shqipëria që janë të përfshira si në prodhimin ashtu edhe në shpërndarjen e drogës; Mafia Mocro nga Holanda, e cila hedh në erë bankomatët; dhe organizatat nigeriane si Black Axe, të cilat fitojnë miliarda në të gjithë botën përmes mashtrimit dhe shfrytëzimit të grave të reja. Zvicra është shumë tërheqëse për këto grupe.
Merrni për shembull tregtinë e kokainës: Mafia shqiptare rregullon importin e kokainës në Evropë, e cila nga ana tjetër financohet nga mafia italiane. Sapo mallrat mbërrijnë në portin e Roterdamit, përfshihet Mafia Makro, duke siguruar transport dhe shpërndarje të mëtejshme. Grupet lokale në fund të fundit e shesin substancën në Bernë ose Zyrih. Zvicra shërben njëkohësisht si vend tranziti, pikë transbordimi dhe treg i synuar”, ka deklaruar shefja e policisë federale zviceriane.
E pyetur se çfarë ndikon në rritjen e kriminalitetit, Wildi-Cortés ka renditur disa faktorë.
“Kryesisht për shkak të frangës së fortë, fuqisë së lartë blerëse dhe stabilitetit politik. Ajo që ne vlerësojmë te Zvicra vlerësohet edhe nga kriminelët”, ka thënë ajo.
Shefja e policisë thekson më tej se grupet kriminale i pastrojnë paratë e tyre përmes salloneve të berberëve, korrierë që shpërndajnë pica, dyqaneve të çajit, apo agjencive të udhëtimit.
Sipas saj, vetëm vitin e kaluar, një agjenci udhëtimi në qendër të Lucernit e specializuar në turne në Ballkan ishte shënjestra e një operacioni të madh. Hetuesit monitoruan agjencinë e udhëtimit për më shumë se një vit. Ata regjistruan 750 vizita nga korrierë të dyshuar për drogë dhe para. Rrjeti i drogës kontrollohej nga mafia shqiptare e Kosovës.