Dashamir Shehi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), deklaroi se marrëveshja Rama-Basha ishte e dëmshme për opozitën.
“Më vjen keq që entuziazmi dhe shpresa për një Republikë të Re u çmontua me një marrëveshje pa shumë vlerë, e dëmshme për opozitën, që ka krijuar dyshime që po i vuajmë edhe sot. Prandaj duhet protestë masive për t’i thënë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që ky njeri që qeveris sot vendin ka humbur kontrollin mbi ambientin politik”, u shpreh Shehi.
Kreu i LZHK-së shtoi se njerëzit e kanë kuptuar se Edi Rama nuk është njeriu i përshtatshëm për kryeministër.
“Është agravuar situata, edhe ata që kanë pasur dyshimin se ky njeri rekuperohet, e kanë kuptuar që nuk rekuperohet më. Justifikimet e tipit LSI-ja, kazani, timoni, nuk ecin më. Njerëzit e kuptojnë që jo vetëm që nuk është bërë më mirë, por u bë më keq. Prandaj protesta është mjeti i vetëm për ta larguar këtë njeri”.
“Ne gjykojmë që protesta do të shërbejë për të rrëzuar zotin Rama, për të
krijuar një qeveri tranzitore, me një ekzekutiv të përbashkët të të gjithë
palëve dhe pastaj për të shkuar në zgjedhje politike të lira e të ndershme. Më
pas, shqiptarët të zgjedhin këdo që mendojnë, majtas apo djathtas qoftë”, shtoi
Shehi.