Moti i keq që ka prekur vendin prej dy ditësh po shkakton problematika të mëdha në akset kombëtare, për shkak të rrëshqitjes së dherave.
Pas problemeve që shkëputjet e masiveve shkëmbore shkaktuan gjatë paradites në aksin Qukës-Qafë Plloçë, një situatë e ngjashme është regjistruar edhe në jug të vendit.
Mësohet se aksi rrugor nacional që lidh Gjirokastrën me Tepelenën është bllokuar plotësisht pasi një masiv shkëmbor është shkëputur nga shpati i malit duke rënë në rrugë.
Bllokimi ka ndodhur në zonën që njihet si “Shkalla e Zezë”, në afërsi të fshatit Hormovë.
Lëvizja në këtë aks është paralizuar prej disa orësh, ndërsa raportohet se është krijuar një kolonë e mjeteve në të dy krahët prej rreth 10 kilometrash.

