Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të bashkisë së Tiranës, të godinës së Teatrit Kombëtar.
Në një dalje për mediat, kreu i shtetit shqiptar tha se ky vendim është anti kushtetues, duke cënuar pasurinë dhe pronën publike.
Presidenti Meta tha se qeveria dhe bashkia e Tiranës kanë kaluar kufijte dhe kompetencat duke marrë këto vendime për teatrin.
“Bashkia Tiranë nuk mundet të ketë në pronësi dhe aq më tepër të shprehet për çështjet që kapërcejnë kufijtë e kompetencës që i përkasin sipas ligjit. Juridiksioni i bashkisë Tiranë për të vendosur për Teatrin Kombëtar është i kufizuar. Për një pasuri të tillë publike, pasuria duhet të qëndrojë në emër të Republikës së Shqipërisë.
Kalimi në pronësi të bashkisë Tiranë të godinave të Teatrit Kombëtar me qëllim të paracaktuar se këto godina do të prishen përbën kërcënim të drejtpërdrejtë të parimeve kushtetuese”, tha Meta.