Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA), policia dhe ushtria janë tri institucionet e sigurisë që janë më pak të besueshme në Serbi.
Kështu thuhet në raportin “Perceptimi i sigurisë publike dhe besimi institucionet e sigurisë dhe institucionet gjyqësore” të publikuar nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë (WBSB), duke shtuar se nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarët serb u besojnë më së shumti zjarrfikësve.
Raporti thekson se shpërndarja e besimit ndërmjet institucioneve ka mbetur e njëjtë, krahasuar me vitin 2020.
“Vetëm rreth një e treta e të anketuarve kanë besim në prokurorinë, gjykatat, Agjencinë e Informacionit të Sigurisë dhe doganat. Më shumë se gjysma e të anketuarve i besojnë policisë, ndërsa rreth tre të katërtat e të anketuarve besojnë te zjarrfikësit dhe ushtrinë serbe”, thekson raporti.
Ngjashëm me vitin 2020, të anketuarit nga zonat më pak të populluara kanë më shumë besim te institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.
Besimi në BIA-n ndryshon ndjeshëm sipas rajonit, ku të anketuarit nga Serbia jugore dhe lindore kanë besimin më të vogël apo 26.4 për qind, ndërsa të anketuarit nga Vojvodina kanë 34.5 për qind besim.
Për sa i përket besimit në Forcat e Armatosura, kjo ndryshon në mënyrë të konsiderueshme, duke marrë parasysh gjininë, rajonin, llojin e vendbanimit, grupmoshën, nivelin e arsimimit, statusin e punës dhe numrin e anëtarëve të familjes.
Të anketuarit nga rajoni i Shumadisë dhe Serbia perëndimore kanë besimin më të vogël në ushtri, pra me vetëm 66.5 për qind, pasuar nga Beogradi me 70.7 për qind dhe Vojvodina me 73.3 për qind.
Besimi është më i ulët te të anketuarit me nivel më të lartë arsimor.
“Përqindja totale e atyre që kanë përfunduar shkollën e mesme dhe kanë besim në ushtrinë serbe është 71.1 për qind, ndërsa te qytetarët me arsim të lartë është 64.7 për qind. Të punësuarit me kohë të pjesshme dhe të papunët kanë besimin më të vogël në ushtri”, thotë WBSB.
Në vitin 2022, besimi më i ulët në polici ishte në rajonin e Beogradit me 47.9 për qind, ndërsa në vitin 2020 ishte në Vojvodina me 22.2 për qind.
Ashtu si në rastin e ushtrisë, të anketuarit më të vjetër kanë besimin më të madh te policia, ndërsa te të rinjtë ky besim është i ngjashëm me të dhënat e vitit 2020.