Një adoleshent raportohet se ka humbur tragjikisht jetën këtë të martë në Gramsh.
Shkak është bërë një sherr me thika mes disa të rinjve pranë shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini”.
Sipas gazetarit, viktima është F. Bici, 15 vjeç, nxënës në klasën e nëntë. Mësohet se adoleshenti ka ndërruar jetë në spital.
“Rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve. Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes. Në përfundim të veprimeve, do të ketë njoftim për arrestimin e autorit dhe për masat që do të merren për 3 shtetasit e tjerë të shoqëruar”, tha Policia në një njoftim për mediat./tvklan.al