Dy të vdekur, 19 të infektuar dhe 126 të shëruar është bilanci i 24 orëve të fundit i personave të prekur nga virusi Korona në Maqedoninë e Veriut.
Ministri i shëndetësisë në këtë shtet, Venko Filipçe, njoftoi se viktimat që kanë humbur betejën me virusin Kovid-19 janë një 49 vjeçare nga Likova dhe një 73 vjeçar nga Shkupi dhe që të dy nga momenti i pranimit në spital kanë qenë në gjendje të vështirë shëndetësore.
“Fatkeqësisht janë regjistruar edhe dy persona që kanë ndërruar jetë në Spitalin “8 shtatori”, një pacient 49-vjeçar nga Likova, i shtruar më 3 prill, me vështirësi në frymëmarrje dhe gjatë gjithë kohës ka qenë në respirator, por edhe një pacient tjetër 73-vjeçar nga Shkupi, i shtruar më 19 prill në gjendje të rëndë. Në 24 orët e kaluara janë bërë 335 teste dhe 19 kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, të shpërndarë sipas qyteteve: Shkup-3, Kumanovë-8, Prilep-2, Strugë-2, Veles-2, Gostivar-1 dhe Vinicë-1.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se nesër do të kërkojë nga Qeveria që të fusë në fuqi sanksionimin e menjëhershëm të qytetarëve për mosmbajtjen e maskave dhe dorezave, sepse pamjet në teren flasin se pak qytetarë mbajnë maskë dhe doreza.
“Fatkeqësisht, në rrjetet sociale dhe në media mund të vërehen se qytetarët nuk e respektojnë masën për mbajtje të maskave dhe të dorezave, prandaj për këtë arsye do të kërkojmë nga Qeveria menjëherë nesër ose më së voni deri të martën të sanksionohen qytetarët që nuk mbajnë maskë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe po ashtu theksoi se në ditët në vijim, qeveria dhe autoritetet mjekësore do të monitorojnë se sa qytetarët i respektojnë masat për distancën dhe detyrimin për të veshur pajisje mbrojtëse dhe më pas do të merret vendim nëse edhe për festat e një majit do të ketë orë policore dhe kufizim të lëvizjes.