Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Filip Shiroka, është një personazh që përshkruhet si njeri i penës e i shpatës. Inxhinier dhe poet lirik, që e mësoi edhe zanatin e armëve për t’i mbrojtur trojet shqiptare. Këtë vit, në 161-vjetorin e lindjes, veprimtaria e tij është përkujtuar vetëm nëpër rrjete sociale. E ka përkujtuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi. Ai Shirokës i është referuar si shkodran i madh. Sipas të dhënave, Shiroka u lind më 3 gusht 1859 dhe vdiq më 14 nëntor 1935, në Bejrut. Por, Rama e ka kujtuar atë të dielën.
Filip Shiroka ishte i biri i Ejll (Engjëll) Shirokës dhe i Rozes së Ndoc Heqimit. Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë. Në mesin e mësuesve të tij ishte edhe arbëreshi i njohur At Leonardo de Martino. Sipas Ramës, Shiroka, i cili ishte i aftë në disa fusha, shfaqi mjeshtëri pa dallim në to.
“Mjeshtëri shfaqi pa dallim; zanatin e armëve e mësoi krah atyre burrave motit që luftuan për mbrojtjen e trojeve shqiptare nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit; aftësinë për të stërvitur, penën elegante në kallamarin e skrivanisë, e përftoi pranë mësuesit të tij Leonardo di Martino; prirjen për udhëheqësi përmes fjalës së qëruar që nuk i ra kurrë poshtë në diasporën e largët në Lindjen e Mesme, nga Egjipti në Liban, e mori prej Shkodrës fisnike dhe fretënve të përkushtuar e me një sens morali qelibar”, ka shkruar Rama.