Zgjatet me 2 muaj mandati i komisionit Hetimor që është ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Komisioni u mbledh sot për të shqyrtuar kërkesën për zgjatjen e mandatit të komisionit, në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias. Gjithashtu në rend të ditës është edhe miratimi i procesverbalit për mbledhjen e 9 shtatorit ku ishte edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Deputeti i opozitës së re Adriatik Alimadhi kërkoi shpërbërjen e komisionit pasi sipas tij nga dekreti i Presidentit për anulimin e 30 qershorit nuk është prodhuar asnjë situatë e rëndë dhe se po shkelen të drejtat e Presidentit. Nga ana tjetër Manja tha se ka një plan hetimor të miratuar dhe se diskutimet e këtij lloji të propozuara nga Alimadhi do të bëhen në një seancë të posaçme pas mbërritjes së opinionit të Venecias.
Alimadhi: Drejtuesit e institucioneve që kanë të bëjnë me proceset e komisionit hetimor do doja të kishin ftesë e të paraqiteshin para komisionit. Përderisa kishim presidentin do të doja që drejtuesit e institucioneve që kanë anuluar dekretin e presidentit të ishin në komision.
Në fund zgjedhjet u zhvilluan dhe nuk prodhuan situatë shumë të rëndë politike. Zgjedhjet u zhvilluan, ju morët 61 bashki dhe situata nuk është e rëndë. Ose ktheni 61 bashki ose shpërbëni komisionin.
Ngritja e këtij komisioni i privon liritë dhe të drejtat presidentit qoftë zoti Meta apo dikush tjetër sepse nuk funksionon Gjykata Kushtetuese. Në fakt kam kërkuar të shtyhet dhe ju erdhët në idenë time pas dy muajve. Nuk kemi shkelje të rëndë që fajëson Presidentin, sepse presidenti nuk ka bërë ndonjë marrëveshje që prek interesat e këtij vendi apo shkel të drejtat e shtetasve të Republikës së Shqipërisë.
Manja: Kemi një plan hetimor të miratuar në këtë komision dhe nuk mendoj se duhen djegur etapat. Diskutimi juaj ka të bëjë me diskutimet që ne kemi lënë të bëjmë në një seancë të posaçme pas opinionit të Komisionit të Venecias. Sot kemi miratimin e procesverbalit, procedurë e këtij komisioni. Është zbardhur dëshmia e Presidentit. Jemi dakord me procesverbalin e mbledhjes së datës 9.9.2019? Miratohet. Si pikë të dytë kemi zgjatjen e mandatit të komisionit hetimor.
Kemi thënë edhe më parë se do presim opinionin e Venecias. Meqenëse veprimtaria e komisionit mbaron më 8 tetor, lind nevoja t’i kërkojmë Kuvendit për një afat shtesë që komisioni të përfundojë punën. Kam kërkuar që zgjatja të jetë prej dy muajsh. Afati në funksion të përmbylljes së gjithë punës së komisionit.
Manja: Duhet të jemi koherent me këtë komision. Sipas planit të hetimit, do të ketë një seancë dëgjimore për të shqyrtuar atë dokumentacion. Nëse do na duhet të thërrasim drejtuesit e këtyre institucioneve, do i thërrasim. Nuk di që të ketë nxjerrë dekret as prokurori i përgjithshëm, as KQZ, por vetëm presidenti. Nuk shoh çështje të diskriminimi këtu.
Alket Hyseni: Ju do ta ushtroni të drejtën tuaj me vonë. Nëse nuk jeni dakord me shtyrjen, votoni! Presidenti i Republikës është zyrtari nën hetim. Ai ka të drejtë për tu dëgjuar. Nëse do të jemi të pakënaqur nga dokumentacionet, do të thërrasim drejtuesit e këtyre institucioneve. Unë jam pro shtyrjes, pasi do presim dhe raportin e Venecias.
Manja: Do kemi raportin final të Venecias për këtë çështje.
Valteri: Nuk kemi pse i shtyjmë afatet me 2 muaj. Por në 12 tetor, kur vjen përgjigja e Venecias, të shtyhet afati deri në fund të tetorit.
Hysi: Ky është vendim i Kuvendit, ndaj jemi vetëm anëtarë të këtij komisioni. Në këtë aksept nuk kemi të drejtë që ta ndërpresim, pasi është e drejtë e Kuvendit. Në bazë të nenit 24/25 të rregullores së Kuvendit, afatet për shtyrje nuk janë në minutën ose ditën e fundit. Jemi në një situatë ku presim raportin e Komisionit të Venecias. Nuk kemi kohë për të marrë një vendim tjetër për shtyrje.
Alimadhi: Kam shumë respekt për ju zonja Hysi dhe Hyseni. Por duhet të jemi të përgjegjshëm. Unë jam i ndërgjegjshëm, por nga momenti që ju na detyroni të ndjekim procedurat tuaja, është fyese.
Hyseni: Premtojmë që para festave të Nëntorit ky komision të dalë në një vendim. Pra para festave të Nëntorit të çlirojmë institucionet….Bëj shaka
Alimadhi; po ju them një gjë; Balli nuk ka bërë luftë për të fituar pushtetin. Ju do caktoni një datë…Po si e keni çliruar ju? E dini vetëm një pjesë të historisë?
Manja: Mendoj se afati i propozuar prej dy muajsh eshte i duhuri. Per ta mbyllur perpara nuk na pengon. Mundesi per zgjatje tjeter nuk kemi