Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se nuk është në dijeni të ndonjë kërcënimi specifik që grupi i Vagnerit mund të paraqesë ndaj NATO-s.
Zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë John Kirby ka theksuar se SHBA nuk janë në dijeni të ndonjë kërcënimi specifik të paraqitur ndaj Polonisë ose aleatëve të tjerë të NATO-s nga prania e forcave të Grupit Vagnerit në Bjellorusi.
Kirby tha në një konferencë se SHBA po vëzhgon situatën nga afër teksa një numër i paspecifikuar luftëtarësh të Vagnerit kanë filluar të stërvitin ushtrinë kombëtare të Bjellorusisë, duke bërë që Polonia të fillojë të lëvizë më shumë se 1 mijë trupa më afër kufirit.
Ndërkaq, presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka mohuar pretendimet e Polonisë se rreth 100 mercenarët e Vagner, të jenë afruar pranë kufirit polak.
“Dëgjova një ditë më parë se Polonia është trembur se gjoja një njësi prej 100 njerëzish janë afruar në kufi. Asnjë njësi e Vagnerit nuk është zhvendosur drejt kufirit. Dhe nëse e kanë bërë, ata e kanë bërë këtë vetëm për të përcjellë përvojën luftarake te brigadat, të cilat janë të stacionuara në Brest dhe Grodno”, tha Lukashenko gjatë një vizite pune në distriktin Kamenets, në rajonin jugperëndimor të Brestit.
Muajin e kaluar, Ministria bjelloruse e Mbrojtjes tha se forcat do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake me luftëtarët e Vagnerit pranë kufirit me Poloninë që është edhe anëtar i NATO-s. Luftëtarët e Vagnerit kanë mbërritur në Bjellorusi pas rebelimit të dështuar nga grupi ushtarak privat në qershor.
“Më duhet të trajnoj personelin tim ushtarak, sepse një ushtri që nuk lufton është gjysma e ushtrisë”, shtoi Lukashenko, transmeton CNN.
Aleati i presidentit rus Vladimir Putin tha se luftëtarët e Vagnerit “s‘duan të shkojnë askund” dhe se ata qëndrojnë “afër Osipovichit në qendër të Bjellorusisë”.