Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur me 26 mijë euro partitë në Kosovë për shkeljet gjatë fushatës elektorale.
Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 3,500 euro për shkak të fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në Podujevë.
“LyDyKy-hi – Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhje, por është lodhje, dhe nuk është demokratike por dokratike”, pati thënë Kurti.
Vetëvendosje mori edhe një gjobë prej 3,500 eurosh të tjera për shkak se një kandidat për deputet ka vendosur posterë në stadiumin e qytetit në Pejë.
Partia Demokratike është dënuar me 12 mijë euro për shkak se dy deputete aktuale dhe kandidate për tjetër mandat, Blerta Deliu e Ariana Shoshi shfrytëzuan hapësirat e Kuvendit të Kosovës për të bërë video për qëllime elektorale ndërsa një tjetër kandidat, Pleurat Sejdiu, shfrytëzoi hapësirat e Odës së Mjekëve të Kosovës për qëllime promovimi.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u dënuan me nga 3,500 euro secila për shkak se posterët e kandidatëve të tyre ishin vendosur në hapësira publike apo në hapësira në pronësi të shtetit.