Tregtia mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar shënoi një rënie të lehtë në periudhën 11-mujore janar-nëntor 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria eksportoi drejt Britanisë së Madhe mallra me vlerë rreth 1 miliard lekë, ndërsa importet nga ky vend arritën në 7.6 miliardë lekë, shkruan “ATSH”.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet drejt Britanisë së Madhe kanë pësuar rënie, pasi në 11-mujorin e vitit 2024 ato regjistroheshin në 1.3 miliardë lekë, ndërsa importet kapnin vlerën e 8.7 miliardë lekëve.
Në total, gjatë 11-mujorit të vitit 2025, eksportet e mallrave arritën në 319 miliardë lekë, ndërkohë që importet u regjistruan në 807 miliardë lekë. Shqipëria importon nga Britania e Madhe kryesisht makina, pajisje dhe produkte të ndryshme për konsum.
Ndërkohë, eksporton drejt Britanisë kryesisht veshje, produkte bujqësore dhe ushqimore, si edhe shërbime turistike.

