Hulumtuesit, tek të sëmurët në vendet si Itali, Spanjë dhe Britani ku vdekjet me burim COVID-19 janë të larta, përcaktuan se niveli i vitaminës D është më i ulët se ai i të sëmurëve në vendet ku normat e vdekshmërisë janë të ulëta
Shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje të fortë mes mungesës së vitaminës D dhe vdekjeve për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të “Nypost.com” shkencëtarët nga Universiteti Northwestern i SHBA-së, ekzaminuan të dhënat e të sëmurëve me COVID-19 të mbledhura nga spitalet në SHBA, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Britani, Zvicër, Iran, Kore e Jugut dhe Kinë.
Hulumtuesit tek të sëmurët në vendet si Itali, Spanjë dhe Britani, ku vdekjet me burim COVID-19 janë të larta, përcaktuan se niveli i vitaminës D është më i ulët se ai i të sëmurëve në vendet ku normat e vdekshmërisë janë të ulëta.
Gjithashtu shkencëtarët zbuluan një lidhje të fortë mes nivelit të ulët të vitaminës D dhe gjendjes hiperinflamatore të shkaktuar nga një sistem imuniteti tepër aktiv të emëruar “stuhia e citokinës”.
Dr. Ali Daneshkhah nga Universiteti Northwestern, duke theksuar se “stuhia e citokinës” mund të dëmtojë rëndë mushkëritë, tha se “stuhia e citokinës” mund të shkaktojë sindromën e shqetësimit të frymëmarrjes akute si dhe vdekjen tek të sëmurët.
Ndërsa Vadim Backman, përgjegjësi i laboratorit të universitetit, vuri në dukje se është e rëndësishme të dihet se mungesa e vitaminës D mund të luajë një rol efektiv mbi vdekjet me burim COVID-19, por se jo të gjithë duhet të detyrohen të marrin vitaminë D.
Pasi ka theksuar se duhet të bëhen më shumë hulumtime mbi gjetjet, Backman, tha: “Unë shpresoj që punimet tona do të inkurajojnë interesin në këtë fushë. Edhe nëse të dhënat vërtetohen, ato mund të drejtohen drejt objektivave (trajtuese) të reja terapeutike”.
Hulumtuesit gjithashtu paralajmërojnë që të mos teprohet lidhur me shtimin e vitaminës D.